Dhjetëra milionë euro u futën në dhe! Padyshim që dëmi ekonomik ishte tepër i madh nga zjarri që shkrumboi arenën e basketbollit të klubit francez BCM Gravelines-Dunkerque. Flakët që nisën në ambientet e pishinës, përfshinë më pas kafenenë e kompleksit sportiv dhe pastaj sallën e basketbollit. Mbi 90 punonjës dhe 40 makina zjarrfikëse nuk mundën të ndalonin më të keqen, pra që gjithçka të shkatërrohej, ndonëse për fat nuk pati viktima. Salla me 3 mijë vende nuk ekziston më, dhe është e vështirë të mendohet që ajo do të rindërtohet shpejt. Presidenti i klubit, Christian Devos komentoi se u dogj jo vetëm një Pallat Sporti, por edhe 40 vjet histori. Nga ana tjetër, nuk dihet se ku ku do të vazhdojë të luajë skuadra e Gravelines në pjesën e mbetur të sezonit. Gjithsesi, një inkurajim erdhi nga ministrja franceze e sporteve, Ameli Udea-Kastera, e cila premtoi se qeveria dhe pushteti lokal do ta ndihmojnë klubin për ta rindërtuar arenën. Ekipi i Francës Veriore është pjesë e Ligës Profesioniste, pra elitës së basketbollit në vend, dhe merr pjesë në Kupën e Evropës, ku është ndeshur edhe me skuadrën e Kosovës, Trepça.
sfidanti.al