Bayern, United, PSG dhe Atletico kundër Superligës

Klubet e mëdha po reagojnë me radhë në lidhje me “dritën jeshile” që dha Gjykata Europiane e Drejtësisë për krijimin e Superligës Europiane të Futbollit. Barcelona dhe Real Madrid përshëndetën vendimin e Gjuyaktës së Drejtësisë Europiane. Ndërkohë që klube si Manchester United, Bayern Munich, Atletico Madrid dhe PSG janë totalisht kundër. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj pjesëmarrjes në garat e UEFA-s dhe bashkëpunimit pozitiv me UEFA-n, Premier League dhe klubet e tjera.

Përmes ECA-s (Shoqata e Klubeve Europiane) për zhvillimin e vazhdueshëm të garës europiane”, lexohet në komunikatën e “Djajve të Kuq”.

Ndërkohë që Bayerni reagoi nëpërmjet Christian Dreesen, administratori i deleguar i kampionëve të Gjermanisë dhe zv. presidenti i ECA-s. “Vendimi i Gjykatës nuk e ndryshon qëndrimin tonë dhe atë të ECA-s. Një kompeticion i tillë do të përfaqësonte një sulm ndaj rëndësisë së ligave kombëtare dhe situatës së futbollit europian.

Bundesliga përbën bazën e Bayernit, ashtu si të gjitha ligat kombëtare përbëjnë bazën e klubeve europiane të futbollit. Prandaj është detyra dhe bindja jonë e thellë t’i forcojmë dhe jo t’i dobësojmë. Ne gjithashtu mbështetim garat europiane të klubeve nën kujdesin e UEFA-s. Kështu që është shumë e qartë: dera e Superligës te Bayerni mbetet e mbyllur”. Kundër edhe PSG, që nëpërmjet presidentit Nasser Al-Khelaifi theksoi: “Nuk e kuptoj gjithë bujën e krijuar rreth këtij vendimi. Ky projekt i Superligës flet për liri, por nuk ka liri.

Kam marrë 50 telefonata nga klube të ndryshme, ka një vlerë që ne e mbrojmë. Ne punojmë për klubet, jemi krenarë për këtë projekt me UEFA-n. Jemi krenarë për Champions League”. Totalisht kundër edhe Atletico Madrid. “Rezoluta në lidhje me kornizën për autorizimin paraprak të garave të tjera i referohet statuteve të vjetërsuara të UEFA-s. Të cilat tashmë janë ndryshuar në qershor 2022.

Shoqata Europiane e Klubeve (ECA) dhe UEFA kanë krijuar një partneritet që e bën të parëndësishme konsiderimin e UEFA-s si monopol. Nëpërmjet marrëveshjeve brenda kësaj sipërmarrjeje të përbashkët, klubet vendosin 50% për shitjen e sponsorizimeve dhe të drejtave televizive, shpërndarjen e të ardhurave dhe formatet e konkurrencës. Komuniteti europian i futbollit nuk e mbështet Superligën. Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Spanja (përveç Real Madridit dhe Barcelonës), por jo vetëm, e kundërshtojnë Superligën. Ne mbështetim mbrojtjen e familjes më të gjerë të futbollit europian, ruajtjen e ligave kombëtare dhe sigurinë e kualifikimit për garat europiane përmes performancës në fushë çdo sezon”.

sfidanti.al