Mjaftojnë që janë para, ngjyra e tyre nuk ka rëndësi. Finalja e Ligës së Kampionëve për sezonin 2029/30 do të luhet në Abu Dhabi si pjesë e kontratës së re gjashtëvjeçare të UEFA-s me atë vend të pasur me vlerë 2.2 miliardë euro, shkruan “OK Diario”. Kjo marrëveshje me Emiratet është një përgjigje ndaj vendimit të gjykatës lidhur me projektin e Superligës, i cili pritet së shpejti në Luksemburg dhe do të jetë i vlefshëm nga sezoni i ardhshëm. “UEFA e di se më 21 dhjetor mund të humbasë padinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Superligën dhe ra dakord me Abu Dhabi-n për të sponsorizuar Ligën e Kampionëve. Ata duan ta bëjnë atë më tërheqëse për klubet dhe të shmangin dezertimin në Ligën e Kampionëve”, tha Eduardo Inda në emisionin El Chiringuito de Jugones.
Vendimi duhet të zyrtarizohet në mbledhjen e radhës të komitetit ekzekutiv të UEFA-s në Paris më 7 shkurt përpara shortit për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve. Njeriu kryesor për ekzekutimin e projektit nga ana e UEFA-s është zëvendëssekretari i përgjithshëm Giorgio Marchetti i cili konsultohet me komitetin ekzekutiv për të siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Sipas mediave spanjolle, UEFA do të shesë të drejtat për të gjitha garat e UEFA-s, duke përfshirë femrat dhe futsalin, për Lindjen e Mesme.
sfidanti.al