Egnatia edhe “de jure” e para

Java e 15 e Kategorisë Superiore ka një lajm të madh, Egnatia është edhe “juridikisht” e para e klasifikimit pasi është konsumuar edhe një pjesë e konsiderueshme e fazës së dytë. Ndalesa e Partizanit në derbin e kryeqytetit e bën të pamundur që të kuqtë të ngjiten në vendin e parë edhe ne rast suksesi në sfidën e prapambetur me Teutën në datën 7 dhjetor.

Janë 4 pikët e diferencës me rrogozhinasit dhe në këtë situatë, skuadra e Edlir Tetovës mund të konsiderohet për herë të parë lidere me të drejta të plota e Kategorisë Superiore. Një sezon fantastik për Egnatian që pavarësisht tragjedisë së Dwamena, arriti të ringrihej për të siguruar dy fitore në dy ndeshjet e fundit ndaj rivalëve aspak komodë si Laçi e Vllaznia. Vazhdimësia e rrogozhinasve është pika e tyre më e fortë pasi kjo skuadër nuk e reflekton kalendarin e ngjeshur dhe e interpreton çdo ndeshje si një finale. Sulmi më i mirë dhe mbrojtja e dytë më e mirë, 33 pikë në 15 javë, një sezon pothuajse perfekt deri në këtë pikë. Egnatia është skuadra ku klubet e kryeqytetit dhe Vllaznia si më e vjetra e futbollit tonë, duhet të marrin leksione.

sfidanti.al