NASA kërkon ndihmën e përgatitësit të Realit

Antonio Pintus është një nga përgatitësit atletikë më të respektuar të botës së futbollit pasi me punën që ai ka bërë në dekadat e fundit, e ka ndihmuar Realin e Madridit të bëhet klubi më i suksesshëm i kontinentit me një diferencë të madhe me markat e tjera të Europës. Mënyra e tij e punës është shumë e veçantë por edhe sfilitëse duke i detyruar lojtarët të marrin ngarkesa të mëdha fizike dhe jo më kot nofka e tij është “gjenerali i hekurt”. Nje sistem metodik i bazuar në shkencë dhe matematikë që ka tërhequr edhe vëmendjen e NASA-s pasi agjencia amerikane e hapësirës po e studion me imtësi. Pintus është ftuar të vizitojë qëndrën e NASA-s në Houston. Ideja lindi gjatë udhëtimit të Real Madrid në SHBA gjatë muajve të verës pasi Los Blancos u ndalën edhe në Teksas.

Në Houston, NASA e kontaktoi dhe drejtuesit e agjencisë ngelën të shtangur nga njohuritë e tij dhe gjatë vizitës së dytë në qëndër, Pintus ndau njohuritë e tij me përgatitësit fizikë të astronautëve, të cilët kanë nevojë për një program shumë të ngarkuar në mënyrë që të përballojnë çdo vështirësi që kërkon impenjim të madh fizik për periudha kohore të zgjatura. NASA u interesua për të njohur më në detaje principet e punës ku është bazuar Pintus gjatë punës së tij me Juventusin, Lyonin, Interin dhe Realin e Madridit.

sfidanti.al