Hamilton, a do të heqësh dorë nga qejfet për titullin në F.1?

Ljuis Hamilton fitoi bindshëm në duelin e dytë me Sebastian Fetelin dhe u barazua me pikë me gjermanin në Botërorin e Formula 1, veçse një pyetje bren drejtuesit e Mercedesit dhe tifozët: A do të mundet kampioni i madh anglez të shtrojë vetveten dhe të jetojë pa teprime, në mënyrë që të mundet ta marrë titullin këtë sezon? Nja dy ditë para Çmimit të Madh të Kinës në Shangai, ish-drejtuesi i lartë i F.1-it, Flavio Briatore, nuk e mbajti aspak gjuhën kur foli për të.

“Hamilton e humbi titullin vjet sepse deshi të bëhej “pirla” dhe të bënte qejfet e tij”, – ishin fjalët e italianit. Në moshën 32-vjeçare, Ljuis duhet ta kuptojë se trupi i tij nuk arrin t’i përgjigjet si më parë, edhe kur rri pa gjumë, edhe kur pi me tepri ato pije që nuk duhet, apo ushqehet jo në mënyrë të shëndetshme. Vjet, fatlumi ishte Niko Rosberg, edhe pse nuk mund t’ia heqim meritën kampionit të botës në fuqi.

Sfida në 2017 duket jashtëzakonisht e ashpër, të paktën me aq sa u pa në dy garat e para. Fetel fitoi në Australi, ku Mercedesi gaboi, ndërsa Hamilton iu përgjigj në Kinë, ku rrjedha e garës ishte më me fat për të. Duke u kthyer tek Briatore, italiani nuk është 100 për qind i bindur për Ferrarin. “Përparimin e ka shumë të madh, nuk ka dyshim, – thotë ai, – por nuk mund të nxitohemi. Mercedesi ka shumë lloj epërsishë dhe në garën e parë bëri gabime. Të presim e të shohim”. Së pari, duhet të shohim nëse Hamilton do të dijë të frenojë veten.

Sfidanti.al