Në gushtin e vitit 2017, Rafael Duamena ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës për të kaluar në Premier Ligën angleze. Skuadra e Brajton kishte rënë dakord me Zyrihun për transferimin e tij, por gjithçka u ndërpre kur testet mjekësore treguan probleme në zemrën e tij. Kështu, ai mbeti te Zurih. Ndonëse, ekzaminimet mjekësore te Brajton tregun probleme në zemrën e tij, ai përsëri vijoi të luante futboll dhe në gushtin e 2018 kaloi te Levante në Spanjë, pasi këta të fundit paguan 6.2 milionë euro për kartonin e tij.
Me Levanten në La Liga, Duamena u paraqit në 12 ndeshje duke dhuruar dy asistime. Më pas do të kalonte në huazim te Real Zaragoza në La Liga 2 për një sezon. Tetori i vitit 2019 do të sillte një goditje të madhe për karrierën e tij. Pas ekzaminimeve të reja mjeksore, mjeket i sugjeruan Duamena-s tërheqjen e menjëhershme nga futbolli. Ai, megjithatë, vazhdoi të luante pasi kishte vendosur një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) në janar 2020. Pas kësaj, karriera e ganezit do të vijonte në Danimarkë, ku nënshkroi për Vejlen. Pasi debutoi me gol në 2020, ai luajti edhe katër ndeshje të tjera, përpara se mjekët ta ndalonin të luante për shkak të problemeve në zemër.
“Zoti gjithmonë ka menduar mirë me mua”, tha Duamena asokohe, duke shpjeguar se ngjarja erdhi si pasojë e goditjes që i dha defibrilatori. Edhe mjekët më pas konfirmuan se goditje të tilla nuk ishin të rrezikshme për jetën e lojtarit, ndonëse më e mira do të ishte që ai të mos luante futboll sërish. Për shkak të gjendjes së zemrës dhe disa matjeve shqetësuese, Vejle konfirmoi më 26 tetor 2020, se Duamena nuk mund të luante për një periudhë. Më vonë, në nëntor 2020, drejtori sportiv i Vejle-s deklaroi se Duamena kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit për klubin. Pavarësisht shqetësimit të mjekve, ganezi nuk hoqi dorë nga futbolli. Ai u rikthye në Austri duke nënshkruar me Blau-Veis Linz më 25 qershor 2021. Megjithatë, dy muaj më vonë, Duamena do të pësonte tronditjen e parë të vërtetë. Ai u rrëzua në fushë gjatë një ndeshjeje të Kupës së Austrisë kundër TSV Hartberg dhe u shtrua në spital më pas.
Por, dashuria dhe pasioni i tij për futbollin bënë që të mos hiqte dorë nga ky sport. Në janarin e vitit 2023, Duamena nënshkroi për një klub të vogël zviceran të kategorisë së pestë, BSC Old Boys. Atje ai realizoi tetë gola në 11 paraqitje, përpara se të mbërrinte në Shqipëri tek Egnatia. Në sezonin e tij të parë në Shqipëri, ai realizoi 11 gola dhe shtatë asistime në 18 paraqitje në Superiore, si dhe një gol dhe dy asistime në gjashtë ndeshje në Kupë. Sezonin e ri, ai e nisi me tre gola në dy ndeshjet kualifikuese në UEFA Europa Konferencë Ligë, ndonëse Egnatia u eliminua nga aremenët e Araratit në raundin e parë. Duamena kryesonte listën e golashënuesve në këtë sezon në Superiore, por fatkeqësisht sot humbi jetën pas një arresti kardiak në fushë gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani.
sfidanti.al