Kategoria Superiore do të luajë këtë fundjave në ndalesën e fundit përpara ndeshjeve të Kombëtares që me siguri do të bëjnë një zhurmë shumë të madhe për kualifikimin e pritshëm në Euro 2024. Ecuria pozitive e djemve të Sylvinhos si për ironi duket se funksionon në përpjestim të zhdrejtë me zhvillimin e futbollit të vendin tonë. Asnjë lojtar nga Superiorja në listë që reflekton vështirësitë e mëdha të lojës që prek drejtëpëdrejtë njerëzit, ata që punojnë dhe ata dhjetra që e shijojnë nga shkallët. Stadiume të boshatirur, asnjë interes për të ndjekur ndeshjet, klube të mbytur në borxhe e me merkato të bllokuar, të tjerë që rrezikojnë të kryqëzohen na disiplina për moskorrektësinë me pagat, të tjerë pa fushë për të luajtur dhe shumë e shumë halle të tjera.
Degradim që duket se ka nisur të infektojë Superioren ndërsa në nivelet inferiore është edhe më kaotike me skuadra që nuk arijnë të bëjnë 11 lojtarë profesionistë për të zbritur në fushën e lojës. Ky është futbolli jo fasadë por ai i vërtetë për të cilin FSHF nuk preferon të flasë, mjafton që një herë në muaj luan Kombëtarja e cila na largon nga hallet tona të përditshme. Rroftë Kombëtarja!
Nga Pirro Bardhyli