Ditë e bukur pranvere në kryeqytetin e Kroacisë. Në stadiumin e Lokomotivës në Zagreb, tifozët ishin mbledhur për t’u kënaqur me futboll, dhe shpresa ishte edhe tek një shqiptar i Kosovës. Eros Grezda përsëri u përzgjodh titullar dhe nuk zhgënjeu. Lojtari që pas pak ditësh mbush 22 vjeç, i dha shans Lokomotivës të shënonte ndaj Cibaljes. Fitoi 11-metërsh, ndërsa për golin iu desh të priste, pasi nuk ishte penalltisti i ekipit.
Vazhdoi të luante mirë duke treguar se kombëtarja shqiptare ka fituar një lojtar të rëndësishëm dhe me të ardhme, pas ftesës së zgjuar të trajnerit De Biazi. Goli ishte vërtet i veçantë, një vepër krejtësisht personale. Në një aksion model, Grezda vrapoi nga përtej mesit të fushës si ndonjë sprintier, duke treguar parametrat e tij prej atleti.
Me katër gola në 21 ndeshje, Erosi nuk është në nivelin e vjetshëm, por gjithsesi, mbetet tepër i fortë. Për pak minuta, në këtë përballje hyri në fushë edhe Endri Çekiçi, kapiteni i Shpresave, që gjithashtu e pret një ftesë nga De Biazi. Për momentin, ekipi i shqiptarëve ndodhet në vendin e pestë në Ligën e Parë të Kroacisë, me 29 pikë.
Sfidanti.al