Presidenti i Tiranës, Refik Halili dhe trajneri i shkarkuar, Orges Shehi janë në një përplasje frontale. Pas vendimit të marrë nga klubi për të bndryshuar timonier por edhe për të “ngrirë” Shehin duke i kërkuar të respektojë kontratën për të mos e lejuar që ai të mendojë për një klub tjetër, tekniku durrsak kërkon të vendosë pikat mbi “i” pasi padit Tiranën në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve kundër pezullimit të vendosur nga Tirana si dhe me kërkesën për përmbushjen e detyrimeve financiare, ashtu si e parashikon kontrata. Në anën tjetër, presidenti Refik Halili, pasi lajmëroi një pezullim të paprecedent, jo shkarkim, tani pretendon se tekniku kampion dhe nënkampion në dy vitet e fundit me bardheblutë është paguar paradhënie deri në dhjetor. Dikush, në këtë pikë, nuk thotë të vërtetën. Po përse një trajner me një skuadër pretendente, i mirëpaguar, do të donte të shkonte diku tjetër, si Halili deklaroi me pompozitet para gazetarëve? Apo, a është e mundur që pezullimi i trajnerit më jetëgjatë në pankinë të ketë ardhur për dy humbje? Këto janë pyetje për të cilat të gjithë e kanë një përgjigje, por e drejta do të jepet në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, aty ku Shehi ka dërguar dosjen para 3 ditësh.
Kërkesa është ajo për mos njohjen e pezullimit, me arsyetimin se nuk bazohet askund, si dhe përmbushjen e detyrimeve financiare, ku specifikohet pjesa e prapambetur e pagave (nga korriku) dhe vijueshmëria e kontratës (deri qershor 2024). Që cështja ka shkuar deri në këtë pikë, është tregues se negociatat për marrëveshje kanë dështuar. Shehi ka zgjedhur të ndjekë anën ligjore, larg të bërit zhurmë në media, Halili ka bërë të kundërtën. E tani Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve duhet t’i japë drejtim sportistit të mbajtur peng, në një çështje me shumë thumba.
sfidanti.al