Igli Tare dhe mbrojtësi gjerman i Romës Antonio Rudiger janë përleshur verbalisht në parking të Olimpicos, pas ndeshjes ndërmjet Romës dhe Lazios për kupën e Italisë.
Derbi i Romës në Kupën e Italisë është mbyllur të martën me Lazion që është larguar triumfuese nga “Olimpiko” pasi ka siguruar biletën për në finale.
Por sigurisht që një përballje kaq e nxehtë nuk mund të mbyllej pa incidente. Nëse janë evituar ato në fushë apo në tribunë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pas ndeshjes, ku protagonistë janë bërë mbrojtësi i Romës, Rudiger dhe Igli Tare.
Ngjarja ka ndodhur në parkingun e stadiumit, kur Rudiger sapo kishte hyrë në makinën e tij bashkë me bashkëkombësit Emerson, Peres dhe Gerson. Sipas dëshmitarëve që kanë treguar gjithçka për “Il Tempo”, në ato momente pranë makinës kalonte Tare, i cili po shkonte qetësisht drejt automjetit të tij, ndërsa Rudiger i ka thënë diçka, shkruan Panorma Sport.
Mbrojtësi i ka folur në gjermanisht Tares, i ndërgjegjshëm se drejtuesi shqiptar i Lazios e njeh në mënyrë perfektë këtë gjuhë, meqë ka jetuar dhe luajtur atje për 7 vite.
Tare i ktheu përgjigje menjëherë, ndërsa Rudiger doli nga makina duke nisur një përplasje të fortë verbale në gjermanisht me tone të larta. E vetmja gjë që dëshmitarët kanë kuptuar në ato momete ishte thirrja “hajdut” në italisht nga mbrojtësi i Romës ndërsa situata u tensionua ndjeshëm.
Por siç ndodh zakonisht pas ndeshjeve të tilla, në parkingun e stadiumit ishte një prani e ndjeshme forcash rendi të cilat kanë bërë të mundur që palët të mos përplaseshin edhe fizikisht. Gjithçka ka përfunduar me largimin e romanistëve.