Dinamo, e ardhmja quhet…Zabërgja

Quhet Bujar Zabërgja, një emër që një kampion si Gigi di Biagio me siguri nuk e kishte dëgjuar përpara se t’ia prezantonin në skuadrën e tij gjatë merkatos së kësaj vere por pas ditës së enjte, me siguri të riun e lindur në Kosovë, italiani do ta mbajë mend gjatë. Në ndeshjen e pestë titullar, 22-vjeçari i rritur në Vushtrri dhe me disa ndalesa të shkurtra në Drenicë dhe Gjilan, shënoi golin e dytë për pikën e gjashtë të Dinamos këtë sezon. Këtë herë në Laç ai realizoi një gol që më shumë se 3 pikë ka një vlerë më të madhe, ndoshta stolin e ish-mesfushorit të Italisë, sot trajner i Dinamo Siti.

Në Kurbin, skuadra blu rezistoi heroikisht edhe me 10 lojtarë por njeriu që hodhi themelin e parë të suksesit është talenti i rritur në Kosovë dhe që përfaqëson ekipin shpresa të dardanëve. Merita e madhe e trajnerit italian është besimi i palëkundur te aftësitë e 22-vjeçarit që për më tepër ka gjetur rrugën e rrjetës edhe pak ditë më parë në Rrogozhinë kundër Erzenit. Realizime që e konfirmojnë sulmuesin e ri në listën e një prej emrave më interesantë të këtij fillim sezoni dhe për klubin dhe drejtorin sportiv Haris Fakic, kjo është një fitore e merituar.

sfidanti.al