Aventura e Marco Verrattit te Paris Saint Germain ka përfunduar tashmë, pas më shumë se 11 vitesh te kryeqytetasit francezë. Mesfushori 30-vjeçar italian nuk bën pjesë në planet e trajnerit Luis Enrique dhe klubi francez ka arritur marrëveshjen me Al Arabin në Katar, për të shitur Verrattin për shifrën e 45 milionë eurove, plus bonuset.
Mesfushori italian largohet kështu nga Franca pas 11 vitesh ku luajti 516 ndeshje dhe shënoi 11 gola, teksa tashmë pritet të përfitojë një pagë të majme prej më shumë se 20 milionë eurosh në sezon në klubin nga Katari. Bashkë me Verrattin, largohet nga Paris Saint Germain edhe fantazisti gjerman Julian Draxler, i cili prej disa sezonesh nuk bën pjesë në planet e klubit dhe ka luajtur në huazim në skuadra të ndryshme.
Draxler do të transferohet te arabët e Al Ahli, teksa detajet e marrëveshjes nuk janë bërë ende të ditura. Gjithsesi këto të ardhura janë mjaft të rëndësishme për PSG-në, që ka shpenzuar më shumë se 300 milionë euro në merkaton e kësaj vere.