Nelson Hysa triumfon në ringun e Leverkusenit

Nelson Hysa ngjyros kuqezi mbrëmjen në Leverkusen, boksieri shkodran ruan rekordin perfekt të karrierës me fitoren e 11 si profesionist në po kaq ndeshje, pasi mposhti rivalin argjentinas, Maximiliano Alejandro Sosa, në duelin për titullin botëror të versionit WBC për vendet sllavo-balltike.

Më pak se 2 minuta iu deshën gjigantit shkodran për të vënë pikat mbi “i”, kur, pas një sërë goditjesh të dhuruara që nga nisja e takimit, tronditi boksierin latin, për t’i dhënë fund me një kombinim e majtë e djathtë, që hodhi në tapet boksierin argjentinas.

Sosa, teksa u përpoq të ngrihej, tregoi se e kishte të pamundur të merrte veten nga goditjet e shqiptarit dhe arbitri i dha fund ndeshjes, me Nelson Hysën që fitoi takimin e tij të 11 në po kaq ndeshje me “knock out” teknik për të rrëmbyer brezin e kampionit të botës, duke ndezur festën në “Osterman Arena” të Leverkusenit, ku dueli i shkodranit ishte eventi kryesor i mbrëmjes.

sfidanti.al