Shtatë pikë janë gjithnjë shumë, por kur më përpara diferenca kishte qenë 10, atëherë duken më pak. Duhen edhe 9 ndeshje deri në përfundim të Premier Ligës, por duket se lufta për titullin kampion është rihapur. Humbja e Çelsit në fushën e vet, në një derbi të vogël ndaj Kristal Palasit, bëri që Totenhemi të afrohej.
Spërsat fituan 2-0 në fushën e Bërnlit me golat e Erik Dajerit dhe koreanit Son, dhe tani kanë 62 pikë ndaj 69 të bluve të Antonio Kontes. Çelsi u mposht në mënyrë të pabesueshme, 1-2 në “Stemford Brixh”, madje me përmbysje. Golit të Fabregasit, miqtë iu përgjigjën me Zahanë dhe Benteken, ndërsa Diego Kosta gjeti “rrugën” jo për në portë, por për kartonin e verdhë.
Është bërë më interesante edhe beteja për në Champions. Liverpuli fitoi më herët derbin ndaj Evertonit në stadiumin e vet “Anfild”, ndërsa Mançester Junajtid nuk shkoi më larg se barazimi 0-0 në “Old Traford” ndaj Uest Bromit, edhe për shkak të mungesave (Pogba e Ibra me të tjerëve).
Në “Anfild, skuadra e trajnerit Klop kaloi në epërsi me anë të Sadio Manesë, u barazua nga Peningtoni, ndërsa fitorja u vendos prej Kutinjos (31’) dhe Origit (60’). Pas 30 javësh kampionat renditja është e tillë: Çelsi 69 pikë (-1 ndeshje), Totenhem 62 (-1), Liverpul 59, Man. Siti 57 (-2), Man. Junajtid 53 (-2), Arsenal 50 (-3).