Nuk ka ndodhur shpesh si këtë herë. Partizani, kampion i vendit në fuqi, mbylli një pjesë të rëndësishme të fazës përgatitore, zhvilluar në Pogradec, ndryshe nga sezone të shkuara kur është shkuar jashtë vendit. Për 13 ditë, të kuqtë thjesht u stërvitën në stadiumin e qytetit, bënë ndonjë ditë pushim, si dhe patën një ndeshje miqësore. Ndryshe nga sa pritej, trajneri kroat, Zekiç, pati shumë pak mundësi të testonte siç duhet futbollistët e tij, pasi ndeshja përgatitore e vetme e siguruar nga klubi ishte ajo ndaj Strugës, kampiones së Maqedonisë së Veriut, të drejtuar nga ish-trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. Ajo sfidë u fitua 1-0, por gjithsesi Zekiç ka marrë shumë pak përgjigje në krahasim me çfarë kërkon. Kryeqytetasit, gjithsesi, u stërvitën seriozisht, në një klimë tepër të përshtatshme siç është ajo e Pogradecit. Tashmë, faza përgatitore verore do të vazhdohet në Tiranë, ndërsa afrohet ndeshja e parë e turit të parë eliminator të Championsit, në 11 korrik ndaj BATE-s së Borisovit të Bjellorusisë. Problemi i vetëm për trajnerin Zekiç, lidhur me ekipin, ishte mungesa e sulmuesit Matondo i cili nuk u paraqit fare në fazë përgatitore.
Sfidanti.al