Bardheblutë “mbretër” të tregut, por shpresohet që paratë të jepen në kohë!

Tirana nuk ka ndërmend të ndalet në merkato. Për të fshirë nga memoria sezonin e fundit dramatik, klubi bardheblu vazhdon të ndërtojë të paktën në letër një skuadër favorite për edicionin e ardhshëm të Superligës. Pasi kanë zyrtarizuar shtatë transferime në merkaton e verës, 26 herë kampionët e Shqipërisë kanë në program edhe dy goditje të tjera.  Në krye të listës është një rikthim i rëndësishëm si ai i ish-kapitenit Erjon Hoxhallari. Mbrojtësi mbylli sezonin e fundit në kampionatin rumun me skuadrën e UTA Arad, ai kërkon të kthehet sërish në Superligë. Marrëveshja është arritur, teksa po limohen detajet e fundit përpara se të bëhet edhe prezantimi zyrtar.

Përveç Hoxhallarit, i sigurt është edhe një tjetër blerje. Prej ditësh qarkullon emri i ish-lojtarit të Italisë U-17 Alesandro Ahmetaj. Më parë gjatë kësaj dritareje të tregut të transferimeve, Tirana ka zyrtarizuar goditje të mëdha si ajo e portierit Selmani, mbrojtësve Obanor, Doka e Mici si dhe sulmuesëve Latifi dhe Kaina Nunez. Me dy transferimet e fundit në plan, klubi bardheblu kërkon të vendosë në dispozicion të trajnerit Orges Shehi një skuadër competitive, që objektiv të parë ka ecurinë sa më gjatë në Konferencë Ligë dhe më pas rikthimin te titulli kampion në Superligë.

Sfidanti.al