Çelsi luan me dy porta, ka një plan të madh për të mbajtur Hazarin!

Eden Hazar është futbollisti i momentit, ndërsa Reali i Madridit ka dalë sërish në skenë, veçse ka edhe “lojtarë” të tjerë. “Aktori” tjetër i madh i “telenovelës” që tashmë ka filluar është Çelsi. Trajneri Antonio Konte dhe drejtuesit e bluve, me në krye presidentin Roman Abramoviç, kanë përpiluar një plan që të mund ta mbajnë belgun në “Stemford Brixh”. Dy gjëra ndikojnë tek futbollisti sot, fama dhe financa.

Përsa i përket rrogës, londinezët janë gati t’i ofrojnë numrit 10 një rinovim kontrate me rrogë 50 për qind të më të madhe sesa ajo që merr tani. Shifra flitet se është 300 000 stërlina në javë (350 mijë euro), përveç shpërblimeve të lidhura me sukseset individuale dhe kolektive. Hazar e nënshkroi kontratën e tanishme në shkurt 2015, dhe kjo vlen për 5 vjet e gjysmë. Mediat britanike shkruajnë se vetë mesfushori ofensiv është i lumtur në Londër, një plus në negociatat e Çelsit.

Përsa i përket famës, ka vetëm një mënyrë për ta bindur Hazarin që të mos shkojë në Madrid, ndërtimi i një skuadre të aftë për të fituar Ligën e Kampionëve. Blutë kanë në plan, sipas mediave, të shpenzojnë 170 milionë stërlina apo më shumë se 200 milionë euro këtë verë për të marrë lojtarë të tjerë, mes të cilëve Hames Rodrigezin, Romelu Lukakun apo Alvaro Moratën. Reali, ndërkaq, besohet se do të jetë gati të bëjë një ofertë-rekord të ri botëror për transferimet, me vlerë më të madhe se 110 milionë euro.

Sfidanti.al