Champions: Partizani përballë BATE-s së Borisovit, ndeshja e parë në Shqipëri!

Nuk ishte më i vështiri i mundshëm, por as i lehtë. Në fund të fundit, nuk mund të jetë ndryshe për skuadrat shqiptare në kupat e Europës, e Partizani në Champions u çiftua me BATE-n e Borisovit në turin e parë eliminator. Kampionia e Shqipërisë ishte nga të fundit që doli nga vazot në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës, ndërsa do të përpiqet të arrijë suksesin edhe në kontinent pasi fitoi titullin në fund të majit. Ndeshja e parë luhet në Shqipëri në 11 ose 12 korrik, e kthimit pas një jave. Vitin e kaluar, të kuqtë ishin në Ligën e Konferencës dhe u eliminuan që në fillim nga Saburtalo e Tbilisit e Gjeorgjisë.

BATE i Borisovit do të luajë në Champions këtë vit sepse u shpall kampion i Bjellorusisë sezonin e kaluar. Gjithsesi, në këtë sezon skuadra më e mirë e Bjellorusisë është në krizë, duke qenë në vendin e 5-të në renditjen e Premier Ligës, 12 pikë prapa kryesueses Dinamo e Minskut. Në Champions do të jenë edhe Ballkani si kampione e Kosovës dhe FC Shkupi si kampione e Maqedonisë së Veriut. Ekipi i Ilir Dajës pret Ludogorecin e Bullgarisë, ndërsa ai i Shpëtim Duros shkon në ndeshjen e parë në Lituani, në fushën e Zhalgirisit të Vilniusit.

Sfidanti.al