Triumfi mbetet triumf edhe kur nuk merr notat maksimale. Është Spanja fituese e Ligës së Kombeve pas një finaleje dramatike ndaj Kroacisë që u zgjidh vetëm nga 11-metërshat, ndonëse jehona në mediat iberike nuk ishte aq e jashtëzakonshme. Natyrisht, të përditshmet e Madridit, “Marka” dhe “AS” ishin shend e verë për një tjetër titull, që u shtohet atyre të Kupës së Botës dhe dy kampionateve europiane, por gjithsesi, theksojnë se nuk bëhet fjalë për një ekip aq të madh sa atëherë.
Po ashtu, që e ardhmja nuk duhet parë me aq shpresë. Gjithsesi, Spanja ia doli dhe trajneri Luis de la Fuente e nisi me këmbën e mbarë, shpejt pasi mori detyrën nga Luis Enrike. E vërteta është që finalja në stadiumin “De Kajp” të Roterdamit ishte e fortë, por me frikë për të mos humbur. “Furitë e Kuqe” mbajtën topin më shumë dhe gjuajtën më shumë drejt portës, por kroatët e gjetën më shumë kuadratin. Në fund, heroi ishte portieri Unai Simon që priti dy penallti, ndërsa iberikët humbën vetëm një. De la Fuente u tregua i sinqertë pas suksesit.
“Në momentin që mora detyrën nuk mendoja se do të fitojë trofe kaq shpejt, – tha ai, – Kisha objektiva të tjera, për të punuar me skuadrën, për ta bërë sa më të fortë. Natyrisht, kur je në gjysmëfinale të një turneu të madh është detyrë që të luftosh për ta fituar. Ekipin e njihja mirë, këta lojtar i kam ndjekur duke fituar trofe në të gjitha nivelet. Jam i lumtur për ta, për të gjithë njerëzit në kombëtare. Mbi të gjitha, jemi të lumtur për Spanjën dhe për tifozët”. Te Kroacia shpresohet që kapiteni Luka Modriç të vazhdojë me kombëtaren, ndërsa humbi mundësinë e fundit të madhe për të fituar një trofe. Gjithsesi, lajmi i ditës është Spanja që u kthye tek trofetë pas titullit të fundit të fituar 11 vjet më parë, Kampionatit Europian të 2012-ës.
Sfidanti.al