Ivan Balliu i dëmtuar, Silvinho kthen në skuadër Naser Aliji

Kombëtarja e Shqipërisë ka humbur një tjetër titullar të rëndësishëm në prag të dy ndeshjeve të qershorit në eliminatoret e Euro 2024 kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Ivan Balliu nuk do të jetë i gatshëm për këto sfida, pas dëmtimit të pësuar në javën e fundit të kampionatit spanjoll me Rajo Vajekano. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, mbrojtësi i djathtë ka problem me tendinën e muskujve të kofshës dhe për këtë arsye nuk mund të rikuperohet. Si pasojë, trajneri Silvinjo është i detyruar të ndryshojë sërish listën e futbollistëve, por edhe planet e tij me formacionin kuqezi.

Në vend të Balliut do të grumbullohet Naser Aliji. Mbrojtësi që luan me Voluntari në kampionatin rumun ka qenë pjesë e pandarë e skuadrës kuqezi, megjithëse ishte lënë jashtë në ndeshjet e fundit edhe nga paraardhësi i Silvinjos, Edi Reja. Që nga dita e parë e përgatitjeve, kombëtarja e Shqipërisë ka humbur dy titullarë të padiskutueshëm. i pari që nuk ia doli të bashkohej me skuadrën ishte Klaus Gjasula edhe ai për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e fundit në Bundesligën e dytë gjermane.

Sfidanti.al