Nikola Jokiç udhëheq Denverin drejt fitores duke vendosur disa rekorde!

Përfundimi ishte i pritshëm edhe pse misteri mbetej. A do të mundej Denveri të vazhdonte marshimin triumfal të deritanishëm në plej ofin e basketbollit amerikan, ndërsa përballë kishte një Majemi tepër luftarak? Për momentin, përgjigja është “Po”, pasi skuadra nga Kolorado fitoi sfidën e parë të Finaleve të Mëdha për titull. Rezultati në Arenën shtëpiake ishte 104-93 nën udhëheqjen e yllit kryesor, Nikola Jokiç. Basketbollisti qendër nga Serbia pati tripëll dabëll, me 27 pikë, 10 topa në tabela e 14 asistë. Ai u bë lojtari qendër që jep më shumë asiste në një ndeshje finale të NBA-së, diçka që nuk e kanë arritur Çembërleni, Xhabari, Dankëni apo O’Nilli.

Jokiç u bë i dyti lojtar në histori që nis serinë finale me tripëll dabëll, ndërsa i pari ishte Xhejzën Kid. Vetëm tre lojtarë në historinë e basketbollit amerikan kanë arritur mbi 450 pikë, mbi 200 topa në tabela e mbi 150 asiste, dhe këta janë Leri Bërd, Lebron Xhejmsi dhe Jokiçi. Pritet të shihet sesi do të reagojë Majemi në ndeshjen e dytë, që do të luhet sërish në Denver, duke u gdhirë mëngjesi i së hënës sipas orës së Shqipërisë.

Sfidanti.al