Kilian Mbape: Dua ta fitoj Championsin me Paris SG!

Eliminimi  i radhës padyshim që ishte një zhgënjim i thellë. Kilian Mbape provoi përsëri pafuqinë dhe pamundësinë për të fituar Championsin me fanelën e Paris Sen Zhermenit, dhe besohej se ai këtë verë do të largohej. Gjithsesi, nuk do të ndodhë kështu. Ishte vetë superylli francez që konfirmoi për mediat se do të mbetet aty ku është, pavarësisht se Reali mbetet sërish i interesuar për të, ashtu siç mund të jenë klube në Angli. Mbape foli shkurt përpara kamerave. “Do të qendroj këtu për të fituar trofeun, nuk dua të them më shumë fjalë se kaq, – tha ai, – Ajo që ndodh në vende të tjera nuk më takon mua. Sezonin e ardhshëm do të luaj tek Paris Sen Zhermeni. Kam edhe një vit kontratë dhe do ta respektoj”.

Mbape luan për PSG-në që nga viti 2017 dhe është rekordmeni historik i ekipit për golat e shënuar, plot 211, duke lënë pas legjenda si Kavani dhe Ibrahimoviç. Gjithsesi, kampionia e Francës është eliminuar vazhdimisht në Champions, ndonëse në 2020 arriti deri në finale ku u mund sërish nga Bajerni. Pritet që Mbape të jetë udhëheqësi i vetëm i parizienëve sezonin e ardhshëm, sepse Mesi dhe Nejmar besohet se do të largohen.

Sfidanti.al