Basketbollisti nga Serbia po luan në një nivel që kampionati amerikan e ka parë rrallë herë, dhe vetëm nga lojtarë si Xhordan, Lebron, Bërd apo Çembërlen, ndonëse ky i fundit ishte tjetër tip ylli. Nikola Jokiç e udhëhoqi Denverin në Finalen e Madhe të NBA-së, ku po pret rivalin (Majemi ose Boston), ndërsa Lejkërsat u “fshinë” 4-0. Ish-ylli i NBA-së, Xhamal Krouford, që luajti 20 vjet në këtë ligë, deklaron se nuk është e lehtë të përballesh me Jokiçin. “Kryesorja është që ai të detyron të gabosh, dhe pastaj ta paguash gabimin, – thotë Kroufordi, – ai luan me ritmin e tij, dhe kjo e ndihmon t’ia dalë, pasi ai është shumë inteligjent dhe e imagjinon gjithçka sikur është me “pamje të ngadalësuara” (slow motion)”. Pra çështja është sesi do të ndalet ky basketbollist, si mund të mbulohet ai? Deri tani, përgjigja nuk është gjetur, të paktën jo në këtë sezon.
Sfidanti.al