Pjaniç jo kundër Shqipërisë, Juventus ndihet i lumtur!

Miralem Pjaniç është lënë i lirë nga trajneri i Bosnjë-Hercegovinës, Mehmed Bazhdareviç, dhe nuk do të luajë kundër Shqipërisë në miqësoren e nesërme. Një lehtësim për kuqezinjtë pasi Pjaniç ishte rreziku kryesor që nga mesfusha, dhe mbështetja kryesore për dyshen e sulmit, Edin Xheko-Vedat Ibisheviç. Futbollisti luajti 57 minuta në ndeshjen zyrtare ndaj Gjibraltarit, ndërsa nuk dihen arsyet që e kanë shtyrë Bazhdareviçin ta linte të lirë.

Juventusi u ndje shumë i kënaqur për këtë kthim, dhe Pjaniç do të rifillojë stërvitjen nën drejtimin e Alegrit që nesër. Juventinët kanë pasur fat në këto ditë të ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Mario Manxhukiç po ashtu është lënë i lirë nga Kroacia, që ndeshet në miqësore me Estoninë. Alegri do të ketë në skuadër edhe dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Gonzalo Higuain dhe Dani Alvesh, të dy të skualifikuar për eleminatoret e Amerikës së Jugut, po ashtu edhe mbrojtësin e Italisë, Barxali, që ka marrë leje nga Ventura.

Sfidanti.al