Nuk ka mundur të japë kontribut të madh në këtë arenë. Kristjan Asllani ka luajtur vetëm 125 minuta në Champions e mbahet mend për humbjen e rastit për gol në Barcelonë, por gjithsesi, edhe ai është pjesë e triumfit. Mesfushori kuqezi, që ka kaluar një sezon të vështirë tek Interi, do të jetë padyshim pjesë e skuadrës që do të luftojë në finalen e Stambollit ndaj Mançester Sitit, me shpresë për të fituar titullin e lavdishëm. Asllani u bë i pari lojtar nga Shqipëria, padyshim i pari i kombëtares sonë, që arrin në një finale të Ligës së Kampionëve. Diçka të tillë e bëri Xherdan Shaqiri me Bajernin në 2013, madje duke dalë triumfues në sfidën fundore ndaj Dortmundit në “Uembli”, veçse shqiptari i Kosovës pati pasaportën zvicerane, luante dhe vazhdon të jetë me Zvicrën.
Për Asllanin, Championsi do të ishte trofeu i dytë me Interin, pasi në janar ishte pjesë e ekipit që fitoi Superkupën e Italisë në finalen e madhe ndaj Milanit në Arabinë Saudite që përfundoi 3-0. Diçka e rëndësishme ndonëse lojtari me numrin 14 nuk ka mundur të zerë shumë vend në ekip. Shqiptari ka luajtur më pak se 500 minuta në Serinë A, dhe më pak se 150 minuta në Kupën e Italisë, duke mos regjistruar asnjë gol dhe asnjë asist, ndonëse besohet se Interi e ka në planet e tij dhe sezonin e ardhshëm mund të jetë më i rëndësishëm.
Sfidanti.al