Ajo që ndodhi në “Santiago Bernabeu” nuk vendosi asgjë. S’mund të jetë ndryshe pas një barazimi 1-1 mes Realit të Madridit dhe Mançester Sitit. Skuadra më e madhe e futbollit në botë, dhe ajo që cilësohet më e forta, do të kenë duelin e dytë, këtë herë në Angli, sonte në orën 21:00. Siti pret rivalin në “Etihad” me synim që të arrijë finalen e dytë të Championsit në histori, me shpresën për të fituar titullin e parë. Trajneri Pep Guardiola ka vetëm një dyshim, mbrojtësin Ake, ndërsa thotë se nuk shqetësohet për trashëgiminë që do të lerë në këtë sport.
“Ajo që unë kam arritur është që tani e jashtëzakonshme, – tha ai, – Ju jeni këtu prej shumë vitesh dhe e dini se çfarë kam fituar. Natyrisht, do të ishim naivë që të mos e kuptonim sesa e rëndësishme është kjo përballje me Realin. Një nga më të rëndësishmet që kur unë jam këtu. Kjo sepse luhet në Champions, sepse rivali është ai që është. Ua kam thënë lojtarëve që duhet ta konsiderojnë një mundësi të madhe, dhe duhet të shijojnë momentin”.
Reali, ndërkaq, është gjithmonë Reali. Një skuadër kaq e madhe, dhe me kaq shumë përvojë, mund të jetë e rrezikshme edhe nëse duket e mposhtur, diçka për të cilët anglezët janë të ndërgjegjshëm. Karlo Ançeloti, ashtu si Guardiola, ka vetëm një shqetësim, dëmtimin e Kamavingës, ndërsa yjet e tjerë si Benzema, Alaba, Rodrigo do të jenë në fushë. Çfarë plani ka trajneri italian?
“Plani është ai që kemi pasur gjithmonë, – pohon Karleto, – Të marrim maksimumin nga lojtarët. Është një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj se mund të luajmë më mirë sesa ishim në ndeshjen e parë, por po ashtu edhe Siti mund të luajë më mirë. Kjo është e sigurt. Tek Reali kam shijuar çdo minutë. Është kënaqësi të punosh me këtë ekip. Ne kemi fituar më parë, dhe jemi pranë një tjetër suksesi. Kemi shpresë dhe jemi të motivuar”. Siti cilësohet favorit për kualifikimin në finale, ndonëse Reali mbetet i rrezikshëm.
Sfidanti.al