Jokiç mbi Lebronin e Dejvisin, ylli i jep Denverit fitoren në finalen e parë në Perëndim!

Ishte një duel që pritej me shumë interes dhe nuk zhgënjeu. Në Arenën e Denverit u luajt një finale e vërtetë e basketbollit amerikan, edhe pse ishte për Konferencën Perëndimore, jo finalja për titull e NBA-së. Nikola Jokiç dhe shokët e tij u vendosën përballë dyshes së madhe të Lejkërsave, Lebron Xhejms-Entoni Dejvis. Ylli nga Serbia e tregoi sërish veten, dhe e bëri në momentin që duhej, duke ndihmuar ekipin që të arrinte fitoren 132-126. Jokiç arriti një tjetër tripëll dabëll, dhe madje me shifra të mëdha, me 34 pikë, 21 topa në tabela e 14 asistë. Ai i realizoi të treja gjuajtjet për tri pikë, ndonëse e humbi disa herë topin.

Përballë tij, Lebron Xhejms iu afrua tripëll dabëllit me gjithë moshën 38-vjeçare. i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” realizoi 26 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 9 asistë. Aspak keq, por e pamjaftueshme. Nuk bënë punë as 40 pikët e Entoni Dejvisit, që kapi edhe 10 topa në tabela. Denveri kryesoi gjatë gjithë kohës dhe madje u shkëput në 21 pikë epërsi, por fundi ishte me emocione. Lejkërsat u afruan në vetëm tri pikë diferencë, por vendasit treguan personalitet dhe ruajtën fitoren. Ndeshja e dytë luhet sërish në Denver.

Sfidanti.al