Klivlendi është si ai boksieri që po i merren këmbët nga grushtat!

Një tjetër grusht në mjekër, nga ata të rëndën. Klivlend Kavaliers u mund përsëri dhe papritur e gjeti veten shumë pranë rivaleve të Konferencës Lindore. Skuadra që mendonte thjesht të dilte e para në Lindje dhe të ruante forcat për finalen e madhe të mundshme të NBA-së ndaj kampiones së Perëndimit, duhet t’i ndryshojë planet e saj. Uashingtoni erdhi në Klivlend dhe mori një fitore imponuese, 127-115. Pas këtij rezultati, renditja e Lindjes është: Klivlend 47 fitore-25 humbje, Bostoni 47 fitore-26 humbje, Uashingtoni 45 fitore-28 humbje, Toronto 44 fitore-29 humbje. Bostoni sidomos, e ka seriozisht që mund t’ia marrë kreun dhe gjithçka në plej of të ndryshojë.

Uashingtoni u udhëhoq nga Xhon Uoll që shënoi 37 pikë, ndërsa Bredli Bil shtoi 27, duke u hakmarrë për një humbje muajin e kaluar ndaj Klivlendit, 135-140 pas kohës shtesë. Mediat amerikane shkruan “edhe më i shpejtë se shpejtësia” për Uollin, ndërsa Lebron Xhejms u shpreh se “kur ky djalë shënon kosha të tillë, ky ekip është shumë i vështirë për t’u mundur”. Lebron luajti mirë duke shënuar 24 pikë, kapur 11 topa në tabela dhe dhënë 8 asistë, ndërsa Irving shënoi 23 pikë e Lov 17.

Çfarë po ndodh me kampionët e NBA-së? Kritikët drejtojnë gishtin te mbrojtja dhe trajneri Tajron Lu pranon: Kemi probleme në mbrojtje dhe nuk jam i bindur se kemi kohë për t’i ndrequr“. Përforcimet e marra ose kanë ndihmuar sulmin, ose kanë pësuar dëmtime, ndërsa Klivlendi ka bilanc më të keq edhe se skuadra e tretë e Perëndimit, Hjustoni, që ka vetëm 22 humbje.

Sfidanti.al