Kumbulla humb sezonin dhe kombëtaren, disa muaj jashtë fushe

Ishte e qartë që në fillim se nuk i kishet punët mirë. Dëmtimi i Marash Kumbullës në Serinë A ishte i rëndë dhe ja ku erdhi diagnoza pas vizitave mjekësore. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka këputur ligamentin kryq të gjurit të djathtë, pas lëndimit që në minutat e para të sfidës Roma-Milan, ndaj edhe e ka mbyllur sezonin. Një gjë të tillë e kishte parashikuar menjëherë pas ndeshjes trajneri i tij, Zhoze Murinjo, ndërsa Kumbulla jo vetëm që nuk luan dot deri në fund të majit, por do të duhet të pushojë disa muaj, derisa të rikuperohet. Kjo do të thotë se mbrojtësi i qendrës i ka humbur përfundimisht dy ndeshjet e kombëtares në eliminatoret e Kampionatit Europian në muajin qershor ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Një goditje e rëndë për kuqezinjtë pasi Kumbulla është një nga lojtarët më të mirë të qendrës së mbrojtjes dhe që më në fund kishte nisur të aktivizohej më rregullisht nga Murinjo.

Sfidanti.al