Interi kalon Benfikën dhe krijon derbin e madh në Champions me Milanin!

Në Serinë A nuk shihet me sy, por Europa qenka e mbarë. Interi u rikthye pas 13 vitesh në gjysmëfinale të Championsit duke eliminuar Benfikën e duke krijuar derbin e madh ndaj Milanit. Më bukur se kaq nuk mund të bëhej, jo vetëm për tifozët ne Itali, veçse edhe për ata në të gjithë Europën dhe botën. Skuadra e trajnerit Simone Inzagi sikur transformohet kur luan ndeshje me eliminim direkt, dhe siç e ka treguar në Superkupën dhe Kupën e Italisë, po e bën në Champions.

Ndaj Benfikës nuk ishte e lehtë, pasi përfundoi 3-3, por zikaltërit e merituan plotësisht. Barela kaloi vendasit në epërsi në 14’, barazoi Aursnes, por Lautaro Martinez dha avantazhin 2-1 dhe Korrea për 3-1. Në fund, hynë në fushë Çalhanoglu, Lukaku, D’Ambrozio dhe Gosens, ndërsa më herët edhe Korrea, me Interin që e uli ritmin dhe portugezët barazuan me Antonio Silvën dhe Petar Musën.

Shanset duken shumë të mira që zikaltërit të provojnë të fitojnë Championsin e parë që nga viti 2010 kur ia dolën me Murinjon. Edhe pse në kampionatin italian kanë marrë vetëm 1 pikë në 5 ndeshjet e fundit, Inzagi ka treguar se është mjeshtër për sfida të tilla.

Sfidanti.al