Sokol Cikalleshi bën 7 gola në Arabinë Saudite!

Nuk është më në kulmin e moshës, por nuk ka ndërmend të dorëzohet. Sokol Cikalleshi, shënoi përsëri në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite, pavarësisht se goli i tij nuk pati vlerë për ekipin. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi në minutën e 38-të, duke i dhënë Al Halexhit barazimin e përkohshëm 2-2, veçse ndeshja në shtëpi ndaj rivalit Al Shabab u humb 2-3. Veterani 32-vjeçar tregoi klasin e tij në rastin e realizimit, ndërsa ishte aktiv gjatë gjithë kohës. Futbollisti kuqezi ka 7 gola dhe 1 asist në 22 ndeshje, duke qenë një nga më të mirët në skuadër.

Për më tepër, Cikalleshi ka luajtur në 96 për qind të ndeshjeve dhe 96 për qind të minutazhit të mundshëm, duke qenë pjesëmarrës në gati gjysmën e golave për të vetët. Pavarësisht nga kontributi i shqiptarit, Al Halixh është në vendin e parafundit në ligën profesioniste saudite me 17 pikë, pra në zonën e rënies nga kategoria. Gjithsesi, vendi i tretë nga fundi, ku ndodhet Al Adalah, është vetëm një pikë larg.

Sfidanti.al