Tuhel ankohet për humbjen, por mediat gjermane kritikojnë Bajernin!

U deshën vetëm dy ndeshje që të vinte ky moment. Bajerni pësoi një tronditje të vërtetë në Kupën e Gjermanisë duke pësuar humbje dhe eliminim, diçka që nuk pritej. Trajneri Tomas Tuhel, pas kënaqësisë së fitores në debutim ndaj Dortmundit, provoi shijen e dështimit, dhe dyshimet u ngritën menjëherë. A do të mundet ai të arrijë sukseset e mëdha këtë sezon në Bundesligë dhe në Champions?

Këtë do ta tregojë vetëm koha, ndërsa ndaj Frajburgut, bavarezëve nuk u mjaftoi epërsia dhe rastet për gol. Miqtë fituan 2-1, falë një penalltie në sekondat e fundit. Tuhel nuk e fshehu zhgënjimin. “Frajburgu shënoi dy gola me dy gjuajtje, – tha ai, – Nuk mbaj mend që kundërshtari të kishte ndonjë rast tjetër. Ne luajtëm mirë, por gjithmonë na mungoi diçka. Ata u mbrojtën fort. Ishte një zhgënjim i madh dhe duhet të fajësojmë vetëm vetveten për këtë”.

Jehona në mediat gjermane ishte e madhe. E përditshmja “Bild” citon fjalët e mesfushorit Kimih që thotë se “kjo humbje më dhemb shumë”, ndërsa komenton se tek Bajerni u nervozuan shumë nga disfata. Ja edhe revista “Kiker”: Në fund vendos dora e Musialës, Frajburgu flak Bajernin jashtë Kupës. Mynihut i mungoi aftësia për të shënuar!” Bajerni gjithsesi është në krye të kampionatit dhe në çerekfinale të Championsit, por Kupën e Gjermanisë nuk e fiton që nga viti 2020.

Sfidanti.al