Paratë nuk do të jenë problem, por nuk dihet nëse do të mjaftojnë. Xhud Belingham është për momentin adoleshenti më i kërkuar në Europë, por klubi i tij, Dortmundi, kërkon që të mos e humbasë kaq shpejt. Besohet se Reali i Madridit, Mançester Siti apo Liverpuli janë në gjurmët e tij, dhe janë gati të bëjnë oferta të rëndësishme këtë verë, por në Gjermani kanë një plan. E përditshmja “Bild” informon se Borusia i ka premtuar Belinghamit që t’i trefishojë rrogën, për t’ia bërë deri në 15 milionë euro në sezon. Një investim i rëndësishëm, ndonëse nuk dihet nëse do ta bindë 19-vjeçarin.
Ylli i ri i Anglisë do të ketë po ashtu një klauzolë transferimi tepër të lartë, plot 150 milionë euro, të paktën siç informon gazeta bulevardeske gjermane. Belingham është njëri nga lojtarët më të mirë të Dortmundit, e po ashtu të kombëtares së Anglisë, dhe e ardhmja e tij cilësohet e shkëlqyer për të paktën 10 vite në vazhdim. Ai këtë sezon ka shënuar 10 gola e ka shërbyer 6 asistë në 34 ndeshje për skuadrën gjermane, që është në krye të Bundesligës dhe shpreson të fitojë titullin kampion në rivalitet me Bajernin.
Sfidanti.al