Italia fiton falë edhe Retegit, por ndaj Maltës nuk bind!

Të Kaltrit nuk janë ende vetvetja dhe kjo u pa, por gjithsesi e hodhën një hap përpara. Italia e Roberto Mançinit fitoi 2-0 ndaj Maltës në fushën e vet, duke marrë tri pikët e para në eliminatoret e Europianit. Italo-argjentinasi Retegi dhe Pesina ishin autorët e golave, me vendasit që padyshim bënë më shumë dhe krijuan disa raste, ndërsa minutat e fundit e ulën ritmin. “Duhej të bënim më shumë në gjithçka”, – ishin fjalët e Mançinit, i cili natyrisht kishte mungesa si Imobile, Kieza, Zhorginjo apo Verrati pa përmendur shumë të tjerë. Mediat italiane kritikuan Të Kaltrit që patën dy momente për të pësuar gol nga Malta, që është një ekip shumë më i dobët.

Sfidanti.al