Lutemi që të mos i ndodhë ndonjë gjë e keqe. Myrto Uzuni mbetet në formë të madhe në Ligën e Dytë të Spanjës, siç e tregoi me golin e radhës për Granadën, dhe është shpresa kryesore për kombëtaren ndërsa afrojnë eliminatoret e Europianit. Sulmuesi shqiptar shënoi me penallti në barazimin 2-2 ndaj Ponferradinës, rezultat jo shumë i mirë, por që e mban Granadën në garë për t’u ngjitur direkt në elitë. Ky ishte goli i 19-të i 27-vjeçarit këtë sezon të kampionatit, dhe i siguroi një notë mjaft të mirë, 7.3.
Me 19 rrjeta, Uzuni mbetet i shkëputur nga rivalët në garën për Këpucën e Artë, dhe është virtualisht fitues i këtij trofeu, ndonëse ende ka mjaft ndeshje për t’u luajtur. Po ashtu, sulmuesi kuqezi i afrohet në 6 gola rekordit historik të Këpucës së Artë në Ligën e Dytë të Spanjës. Granada ka 55 pikë pas 31 javëve kampionat, duke qenë në vend të katërt, por 3 pikë larg zonës që të ngjit direkt në La Liga. Gjithsesi, skuadra e Uzunit është në zonën e plej ofit ku mbetet mundësia për të siguruar ngjitjen një kategori më lart.
Sfidanti.al