Formën e kishte shumë të mirë dhe kjo që ndodhi ishte një mëkat. Marash Kumbulla pak ditë më parë shënoi golin e parë të sezonit në Europë për Romën, veçse ajo që erdhi më pas nuk e ndihmoi aspak. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, pas kënaqësisë që mori në sfidën ndaj Sociedadit në Ligën e Europës, u detyrua të përjashtohej në ndeshjen e Serisë A kundër Sasuolos. Futbollisti 24-vjeçar mori karton të kuq pas një dueli me Berardin e Sasuolos, gjë që solli penallti për kundërshtarët dhe ndikoi direkt në rezultat. Protestat ishin të shumta.
Klubi roman dhe trajneri Murinjo akuzuan arbitrin Fabri që nuk deshi ta rishikonte momentin e duelit mes Kumbullës dhe Berardit. Roma pretendoi edhe për gabime të tjera të gjyqtarit në ndeshjen që përfundimisht u humb. Gjithsesi, mediat italiane dhe ato europiane ishin mjaft kritike me mbrojtësin kuqezi. “Eurosporti” dhe “La Gazeta delo Sporti” ishin në një zë, që veprimi i Kumbullës ishte i pajustifikueshëm, dhe notat për të ishin që të dyja shumë të këqija, 4. Pra, e cilësuan si më të dobëtin në fuqi. Sasuolo fitoi 4-3 në stadiumin “Olimpiko”, dhe për disa minuta u aktivizua edhe mesfushori i kombëtares, Nedim Bajrami, por që nuk pati ndonjë vlerësim për shkak të kohës së paktë në fushë.
Sfidanti.al