Bilardo, Eklent Kaçi sërish kampion i botës, shqiptari shkëlqen në Las Vegas!

Është nga ata tituj që i përkasin vërtet nivelit maksimal. Në një epokë kur ka shumë turne që cilësohen “kampionate botërore”, sportisti i shquar shqiptar, Eklent Kaçi, fitoi një titull të vërtet botëror në bilardo. Djaloshi 24-vjeçar nga Kurbini triumfoi në një finale dramatike ndaj spanjollit Fransisko Sançez Ruiz në konkurrimin në bilardo me 10 gurë. Edhe pse pati përballë numrin 1 të botës në këtë disiplinë, Kaçia ia doli me një përmbysje të madhe.

Sançez Ruiz, që synonte titullin e tretë botëror në tri disiplina të ndryshme këtë vit, kryesoi me rezultatin 5-1, por gjithsesi nuk e mundi dot shqiptarin. Duke quajtur qetësinë, bilardisti kuqezi nisi të shënonte pikë pas pike. Në fund, ai arriti rezultatin 10-7 duke goditur saktë tre gurët që kishin mbetur në fushë. Ky ishte titulli i dytë botëror për kurbinasin, pas atij që fitoi në 2021, ndërsa vitin e kaluar bëri gjithashtu një paraqitje shumë të mirë duke dalë i treti e duke marrë medaljen e bronzit. Kaçi, 24-vjeçar, i nisi sukseset e mëdha ndërkombëtare në 2017, kur mbërriti deri në gjysmëfinale të kampionatit botëror me 9 gurë.

Sfidanti.al