Në Angli besojnë se Arsenali do ta fitojë titullin këtë sezon!

Teste të tilla mund të përcaktojnë të ardhmen. Arsenali vazhdimisht është cilësuar si pretendent i fortë për titullin në Premier Ligën angleze, veçse pas suksesit ndaj Bornmuthit, ky etiketim mori më shumë vlerë. Londinezët dhanë një provë karakteri pasi u ndodhën 0-2 në humbje, dhe jo vetëm fituan 3-2, por edhe merituan gjithçka. Edhe pse jo një skuadër eksperte në gara të tilla për trofe, sërish kjo e trajnerit Mikel Arteta nuk pati as tronditjen më të vogël, me përjashtim të dy gabimeve në mbrojtje.

Në stadiumin “Emirejts” u dha një paraqitje madhështore, vazhdimisht në sulm, duke krijuar raste e duke goditur, me një qetësi prej mjeshtrish. Partej, Uajt dhe Nelson në minutën e 7-të shtesë ishin autorët e golave. “Unë besoj tek fati, por pse po më pyesni për këtë? – tha Arteta, – Nuk e di. Ishte një ditë e jashtëzakonshme, një eksperiencë shumë e bukur në fund. Gjithsesi, ishte dramatike, por ia vlejti që ta përjetoje sepse fundi ishte diçka e madhe”.

Trajneri i Bornmuthit, Geri O’Nil deklaroi se ishte i zhgënjyer për humbjen në fund, por shtoi se kjo disfatë erdhi përballë ekipit që ai e cilësoi si më të mirin në kampionat. Analistët mendojnë se ky është vërtet sezoni i Arsenalit. Legjenda e “topçinjve”, Pol Merson, deklaroi se londinezët do ta fitojnë titullin, dhe po ashtu besim shprehën edhe legjenda tjetër Ian Rajt. Gjithsesi, gara për titull vazhdon sepse Mançester Siti nuk është dorëzuar aspak. Kampionët në fuqi fituan 2-0 në fushën e tyre ndaj Njukasëllit dhe mbeten gjithmonë 5 pikë prapa, me 58 ndaj 63 të Arsenalit.

Sfidanti.al