Nuk pritej aspak, por kështu po shkojnë gjërat këtë sezon. Milani pësoi një tjetër humbje në Serinë A, të gjashtën këtë vit, dhe rezultati 1-2 në fushën e Fiorentinës nuk premton asgjë të mirë. Kampionët në fuqi të Italisë, pas një pjese të parë tepër të dobët, rrezikojnë zonën Champions në një edicion ku konkurrentët janë të shumtë si Lacio, Interi, Roma, Atalanta e madje ka shpresë edhe Juventusi. Fiorentina bëri më shumë në total dhe konkretizoi lojën e saj me golat e shënuar nga Nikolas Gonzales me penallti dhe Luka Joviç. Kuqezinjve nuk u bëri punë rrjeta fare në fund e Teo Hernandezit.
Çfarë po ndodh me skuadrën e shquar, që ka një kontrast të madh në krahasim me vjet? Ndoshta fitorja e titullit ishte e dëmshme për mentalitetin e futbollistëve të saj, të pamësuar me trofe. Trajneri Stefano Pioli hodhi menjëherë sytë nga dueli i mesjavës në Angli për Championsin.
“Nuk marrim asgjë nga kjo ndeshje, por as nuk duhet të ndikojë në sezonin tonë. Tani na pret sfida me Totenhemin, që është krejt e ndryshme, ndaj një skuadre që rreshtohet krejt ndryshe nga Fiorentina. Një konkurrim tjetër, një ndeshje e vetme që vendos kualifikimin. Edhe ata kanë pësuar humbje, siç pësuam ne, prandaj them se kjo nuk do të ketë rëndësi. Këtë herë nuk ishim mirë, por duhet të kualifikohemi, pra duhet të luajmë mirë, me shumë energji”.
“Telashe europiane për Milanin”, vë alarmin “La Gazeta delo Sporti”: kuqezinjtë bien me mendjen tek Totenhemi, zona Champions në rrezik! “Fiorentina ndal kuqezinjtë, – shkruan “Il Korriere delo Sport”, – Niko-Joviç, mirupafshim Milan! Kuqezinjtë rrezikojnë Championsin!” Milani ka 47 pikë në renditjen e Serisë A, ndërsa gara për zonën Champions pritet të vazhdojë e fortë deri në fund.
Sfidanti.al