Vazhdon të tregojë veten dhe të fitojë formacionin. Nedim Bajrami ishte sërish titullar në një ekip shumë më të fortë sesa Empoli ku ka qenë më parë, ndërsa pati edhe gëzimin e fitores me Sasuolon. Mesfushori i kombëtares shqiptare luajti që nga minuta e parë në sfidën e Serisë A në stadiumin e Leçes, dhe ishte ndër më të mirët. Bajrami pati rastin ideal për t’i kaluar të vetët në epërsi, veçse u ndal nga portieri vendas. Sasuolo fitoi me golin e shënuar në pjesën e dytë nga Torstvedt, ndërsa vlerësimet për 23-vjeçarin shqiptar ishin mjaft të mira. “Eurosporti” shkruan se Bajrami ishte njëri nga lojtarët më të qendrueshëm të ekipit të tij.
Fat të kundërt pati mbrojtësi kuqezi, Ardian Ismajli. Në përballjen më të vështirë të mundshme të sezonit, atë ndaj Napolit, lojtari i kombëtares u detyrua të shkaktonte autogol që në minutat e para, duke ia vështirësuar ndeshjen Empolit. Më pas, napolitanët dominuan dhe fituan 2-0 me golin e dytë të të zakonshmit Viktor Osimhen, ndërsa Ismajli nuk mundi të bënte shumë. Natyrshëm erdhën notat 4.5 dhe 5, përkatësisht të “Eurosportit” dhe “Skaj Sportit”. Komentet ishin se ndeshja ndaj Napolit ishte si një ëndërr e keqe për qendërmbrojtësin tonë, i cili këtë edicion është vlerësuar si njëri nga më të mirët për Empolin.
Duke kaluar në Angli, Anis Mehmeti po hedh hapa të rëndësishëm përpara. Futbollisti shqiptar i krahut, që luan për Shpresat kuqezi, ka 3 ndeshje radhazi që luan titullar për Bristol Sitin në kategorinë e dytë angleze, duke u përshtatur më së miri. Ai tregoi në disa momente klasin e tij, ndërsa Bristol Siti arriti fitoren 1-0.
Sfidanti.al