Në Itali prej kohësh që nuk mbahen mend, është vlerësuar në radhë të parë rezultati dhe pastaj loja. Nëse fiton e luan keq, je kampion, nëse humbet e luan mirë, je dështak. Nuk mund të thuhet se trajneri i Milanit të sotëm, Vinçenco Montela, është identikiti i përsosur i kësaj filozofie, veçse vlerësimi që ai i bëri fitores ndaj Xhenoas shkon në këtë drejtim. “Nuk pati mundësi për spektakël, – ishin fjalët e tij, – Xhenoa mbylli hapësirat dhe ne duhej të bënim durim”. Dakord deri këtu, por spektakli i një skuadre nuk varet vetëm nga kundërshtari, madje as nuk ka lidhje me të.
Montela e thotë qartë se “duhej të ishim më mirë në qarkullimin e topit”, diçka themelore për spektaklin, ndërsa kënaqet që “nuk i lejuam asnjë hapësirë kundërshtarit”. Nëse kundërshtari nuk të lejon hapësira ty, dhe ti nuk i lejon atij, atëherë “lamtumirë” spektakël. Reali, Barcelona, Milani i Sakit, Ajaksi, Bajerni apo Mançester Junajtid i kohëve të mëdha, shpesh ishin më dobët në mbrojtje, sepse mendonin më shumë për sulmin. Montela, një sulmues vërtet shumë i mirë kur luante futboll, ende nuk ka nisur të mendojë kështu dhe, ndoshta, Silvio Berluskoni, megjithë teprimet e tij, mund të ketë të drejtë të mos jetë plotësisht i kënaqur.
Sfidanti.al