Çelsi mendon për “nesër”, gati 70 milionë euro për një sulmues

Diego Kosta mund të largohet në verë, ndërsa impenjimet për sezonin e ardhshëm, të rriten. Si në çdo klub tjetër normal futbolli, edhe tek Çelsi po bëjnë planet dhe llogaritë. Duket se trajneri Konte po mendon për të rikthyer në ekip një sulmues që po shkëlqen në Premier Ligë. Fjala është për Romelu Lukakun, 23-vjeçarin që po ndihmon Evertonin që të realizojë një edicion shumë pozitiv. Trajneri italian nuk do të kursehet për ta kthyer belgun në “Stemford Brixh”, vetëm 3 vjet pasi ai u largua me ardhjen e dytë të Zhoze Murinjos.

Lukaku pritet të kushtojë të paktën 70 milionë euro (rreth 60 milionë stërlina), veçse Çelsi mund ta ketë më të lehtë për ta financuar këtë blerje, sepse Diego Kosta mund të shkojë në Kinë. Përveç kësaj, klubi kryeqytetas i ka fituar një herë 28 milionë stërlina, kur sulmuesi kaloi tek Evertoni. Për të ndihmuar blutë e Londrës, Lukaku ka refuzuar të rinovojë kontratën me blutë e Liverpulit, ndërsa marrëveshja e tanishme vlen deri në 2019.

Sfidanti.al