Elseid Hysaj: Dua të kem një tjetër trofe në karrierë!

Ky sezon vërtet që ka qenë shumë më i mirë. Elseid Hysaj ka luajtur shpesh për Lacion, në Serinë A dhe në Europë, në një ndryshim të plotë në krahasim me vjet. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare do të ketë sot provën e radhës, në orën 21:00 në stadiumin “Olimpiko” ndaj rumuve të Kluzhit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. Në konferencën e shtypit, si fillim, përgjegjësi mediatik i Lacios e uroi Elsin për lindjen e fëmijës së tretë, Teos.  Mbrojtësit kuqezi i kujtohet se Lacio ka shansin që të fitojë një ndeshje me eliminim direkt pas 5 viteve.

“Sigurisht, unë ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë, dua që të fitojmë sepse të gjitha garat janë të bukura, dhe çdo futbollist dëshiron të ketë një trofe më shumë në karrierë. Mendoj se që të gjithë duam që të arrijmë në fund të këtij konkurrimi”. Për Hysajn janë 25 ndeshje këtë sezo. Çfarë ka ndryshuar në krahasim me vjet? “Jam përshtatur më mirë me lojtarët, me skuadrën. Po stërvitem më mirë dhe më i qetë sesa vjet. Shpresoj që të vazhdoj kështu, që të luftoj dhe që të mos dorëzohem deri në fund”. Lacio synon kualifikimin në Champions nga kampionati, ndonëse humbja në shtëpi me Atalantën ia dëmtoi shanset jo pak.

Sfidanti.al