Zhiru e ngjit lart, por Milani ende nuk bind mediat dhe trajnerin Pioli!

Në momente të tilla mjafton edhe kaq. Milani kishte nevojë për një fitore dhe këtë e arriti edhe pse ndoshta nuk e meritoi. Përballë një Torinoje të fortë e shpëtoi një veteran si Olivie Zhiru. Sulmuesi 36-vjeçar, që padyshim e vlen rinovimin, realizoi golin e vetëm pas pushimit, ndërsa miqtë kishin rrezikuar vazhdimisht. Pas gati një muaji “agjërimi”, kuqezinjtë e arritën më në fund suksesin për të cilin kishin shumë nevojë. Dështimet në Serinë A dhe në Superkupën e Italisë ishin të rënda dhe besimi kishte humbur. Këtë e pohoi edhe trajneri Stefano Pioli.

“Ishte e pashmangshme që të pësonim një goditje, – tha ai, – Një muaj i vështirë jo vetëm për ne si skuadër, por për gjithë klubin. Paraqitjet tona ishin zhgënjyese ashtu si edhe rezultatet. Për këtë arsye fitorja ishte e rëndësishme, por ishte vetëm një hap. Duhet të rrisim nivelin e lojës, aq më tepër që po afrohet Championsi. Na duhet nivel shumë më i lartë sepse Totenhemi është një skuadër e fortë. Gjithsesi, kjo fitore ishte një kënaqësi”.

“Zhiru të ngjit lart, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – Milani mund një Torino të bukur dhe ngrihet sërish në këmbë. Gjithsesi, duhet më shumë për të dalë nga kriza”. “Shënjestra”, shkruan edhe “Il Korriere delo Sporti”, Pioli kthehet tek fitorja pas një muaji Milani ka 41 pikë, vetëm dy më pak se Interi i vendit të dytë, ndonëse ekipe si Roma apo Lacio mund ta arrijnë e ta kalojnë.

Sfidanti.al