Kremoneze në stilin anglez, a do ta fitojë Kupën e Italisë?!

Në kampionat lufton për mbijetesën, ndërsa në Kupë konfirmohet si “vrasësja” e të mëdhenjve. Pasi eliminoi nga turneu Napolin kryesues të Serisë A, Kremoneze dhuron një tjetër surprizë duke nxjerrë jashtë një tjetër pretendente si Roma. Skuadra e drjetuar nga Zhoze Murinjo u dorëzua në shtëpinë e saj në humbjen 2-1. Ndeshja zhgënjyese e romanëve mori formë pas golit të pësuar me 11-metërsh nga Desers në pjesën e parë. Pas pushimit, shpresat për përmbysje të vendasve u tronditën nga autogoli i Çelik, që dyfishoi epërsinë e Kremonezes. Vetëm për statistika vlen goli i Belotit në minutën e katërt shtesë, pasi Roma i heq vetes një mundësi të mirë për trofe në këtë sezon të futbollit italian. Kremoneze tejklalon të gjitha parashikimet me kalimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me Fiorentinën. Kjo e fundit e kishte siguruar kualifikimin pas fitores 2-1 në sfidën e saj çerekfinale kundër Torinos.

Sfidanti.al