Tashmë u bënë 10 trofe, madje të arritura në 10 finale. Nëse “Rolan Garosi” ka Rafael Nadalin si mbretin absolut, Australian Openi ka Novak Gjokoviçin. Edhe pse nuk ka fituar dot 13 tituj si spanjolli në Paris, me 10 të tillë në Melburn është një legjendë e gjallë e tenisit. Nole triumfoi në finalen e sotme ndaj grekut Stefanos Cicipas me shifrat 3-0 me sete, ndonëse loja ishte shumë më e fortë sesa e tregon ky rezultat. Setet ishin 6-3, 7-6 (4), 7-6 (5). Me këtë fitore, Gjokoviç barazoi rekordin botëror të Grand Slemeve, që tani e mban bashkë me Rafael Nadalin me nga 22 të tillë. Po ashtu, ai u kthye si numri 1 i renditjes botërore ATP, ndonëse ka luajtur më pak turne sesa rivalët. Më së shumti, kampioni serb mori një revansh personal pas përjashtimit vitin e kaluar për shkak të historisë së mosvaksinimit të tij ndaj koronavirusit.
Sfidanti.al