Zhoze Murinjo u dërgoi një mesazh tifozëve të Çelsit që lëshuan një serë ofendimesh në adresë të tij gjatë ndeshjes së fundit çerekfinale të FA Kupës së Anglisë mes ekipit londinez dhe Mançester Junaitidit të tij (Murinjos), madje, duke i thirrur atij edhe“Judë”! Pas duelit verbal të tij me trajnerin e Çelsit, Antonio Konte, pranë vijës anësore, tifozët, në “Stemford Brixh”, që ndodheshin të ulur sipër stolave të rezervave, filluan ta ofendonin Murinjon. Ata filluan të bërtisnin “Fuck of Murinjo” (Shko pirdhu, Murinjo), duke vazhduar më tej: “Nuk je më speciali”, për ta mbyllur në fund me thirrjet “Juda, Juda”!
Pas ndeshjes, trajneri portugez u dërgoi tifozëve të Celsit mesazhin se pozita e tij në historinë e këtij ekipi (Çelsi) do të vazhdojë që të jetë e paprekshme, deri sa një trajner tjetër të fitojë katër tituj, si ai. “Mund të më quajnë si të duan. Unë jam profesionist, mbroj dhe luftoj, gjithnjë, për klubin që drejtoj”, u tha Murinjo gazetarëve pas ndeshjes. “Deri sa ndonjë trajner tjetër i Çelsit nuk do të fitojë katër tituj, unë jam numri 1. Kur ky ekip do të ketë një trajner që do të fitojë katër tituj, atëherë, unë do të bëhem nr.2. Por, deri atëkohë, unë do të jem Juda nr.1!”, tha ai.