Ish-ndihmës i trajnerit të Lesterit: Ranieri nuk vendoste dot disiplinë

Caktimi i Kreg Shekspirit si trajner i Lester Sitit doli se ishte një lëvizje e shkëlqyer e krerëve të këtij klubi. Nën udhëheqjen e trajnerit të ri, Lesteri nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe, për herë të parë, në historinë e vet, u radhit midis tetë ekipeve më të mirë në Ligën e Kampioneve të Evropës, kështu që shumëkush bën pyetjen se çfarë i mungonte Klaudio Ranierit që të arrinte rrezultate të mira. Ndihmësi i dikurshëm i Ranierit te Lesteri, Kevin Filips, thotë se Ranieri nuk vendoste dot disiplinë në ekipin e tij dhe se lojtarët ishin lënë që të bënin siç dëshironin.

“Kam punuar një kohë me Ranierin dhe e shihja se organizimi në atë ekip ishte i dobët. Ishte Shekspiri që e mbante ekipin nën kontroll. Po të mos ishte ai, Lesteri do ta kishte marrë tatëpjetën shumë kohë më parë, duke qenë se Ranieri fluturonte shpesh për në Itali”, vuri në dukje Filipsi, duke shtuar se “sigurisht që meritat për titullin i shkojnë trajnerit, por çështja është, nëse Lesteri do të mund ta fitonte titullin kampion pa Shekspirin?”.

sfidanti.al