Memfis-Denver, dueli i madh i NBA-së në Konferencën Perëndimore!

Sfida duket e fortë e pritet të zgjasë deri në fund. Në të dyja konferencat e basketbollit amerikan konkurrenca është e ashpër këtë sezon, ndonëse diçka më tipike është ajo në Perëndim. Dy skuadra, Denveri dhe Memfisi janë shkëputur nga rivalët dhe po luftojnë për vendin e parë në sezonin e rregullt. Memfisi arriti fitoren e 11-të radhazi, duke barazuar rekordin historik të ekipit, edhe pse e pati shumë të vështirë, 115-114 ndaj Klivlendit. Ky rekord u vendos pikërisht vjet, pra po nga ky brez lojtarësh që po bëhen gjithnjë e më të mirë. Bejn dhe Morant udhëhoqën skuadrën, përkatësisht me 25 e 24 pikë, në një finale me emocione shumë të forta.

Denveri gjithashtu e pati shumë të vështirë në fitoren 122-118 ndaj Minesotës. Edhe pse u luajt në Arenën shtëpiake, sërish përballja ishte e ashpër dhe miqtë udhëhoqën gjatë gjithë kohës, përveçse në fund. Nikola Jokiç ishte më i miri me 31 pikë, 13 asistë dhe 11 topa në tabela, duke arritur tripëll dabëllin e 13-të të sezonit, e duke qenë numri 1 këtë vit. Në karrierë, ai ka 90 të tillë, ndërsa u bë lojtari me më shumë asistë në historinë e skuadrës nga Kolorado. Denveri kryeson në Perëndim me 32 fitore e 13 humbje, ndërsa Memfisi ka vetëm një fitore më pak.

Sfidanti.al